Ballina Blog Faqe 30

Dy Edi Ramat në New York dhe raporti i sikletshëm me të tashmen e të shkuarën

0

Nga Genc Pollo

Fjalimi i KM Edi Rama para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mund të mbahet mend për gjërat që ai la pa thënë më shumë se për gjërat që tha. Ai nuk foli për gjeopolitikën e rreziqet ndaj sigurisë në rajonin e afërt siç bëri kryeministri kroat (rreziku i Serbisë që nderon Mladiçin) apo siç bëri edhe kryeministri grek (tensionet në detin Egje, konflikti në Lindjen e Mesme), presidentja e Bullgarisë (tensionet në Detin e Zi, lufta në Ukrainë) e presidenti serb (synimi për të rimarrë Kosovën mori 70% të kohës); ai nuk foli as për “dashurinë e pashtershme” të tij për marrëdhenien me BE siç bënë joromantikisht por mjaft konkretisht presidenti malazez e kryeminstri maqedonas.

Rama nuk përkrahu ndonjë nismë konkrete në OKB as shprehu kritikë konstruktive për këtë organizatë siç bëri kryeminstri slloven. Në vend të këtyre temave konkrete e me interes direkt Rama foli për shanset e risqet me inteligjencën artificiale (IA) duke mos mënuar të sjellë si sukses “ministren digjitale Diella” pavarësisht nga skandalet rreth saj apo duke u rrekur të delegjitimojë si devijim algoritmi të IA protestën e përditshme 4-mujore kundër tij. IA është padyshim e rëndësishme dhe ka nevojë për rregulla. Por duke qenë se industria IA është përqëndruar në ShBA, Kinë e në pjesë të Europës dhe si pasojë shtetet e Ballkanit nuk mund të kenë ndonjë rol konkret përveçse këshillimit teorik. Vetëm dy nga liderat rajonalë të sipërpërmendur e trajtuan çështjen IA në rubrikën “të ndryshme” të fjalimit të tyre. Më interesant ishte fjalimi i KM Rama dy ditë më parë në mbrëmjen gala të Këshillit për Marrëdhëniet ShqiptaroAmerikane po në New York, po në anglisht. Sidomos tre fjalë të tij:

1- BIDEN/TRUMP TRADHËTARË

Në Tiranë e Prishtinë bëri bujë fajësimi nga Rama i Presidentit Biden dhe i Amerikës (this country) si tradhëtues i Kosovës në kontekstin e dënimit të liderëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale. Në fakt Joe Biden si senator spikati me qendrime të drejta për krizën e ish-Jugosllavisë; si president nuk spikati për ndonjë gjë të madhe edhe pse shumicën e kohës dukej se humbi kthjelltësinë e mendimit dhe kontrollin ja morën funksionarët rreth tij. Po të besojmë një ish zyrtar të Kongresit ishte presidenti Obama, i cili hyri në një allishverish me Rusinë për Iranin, dhe e pranoi kërkesën e Moskës për ngritjen e kësaj Gjykate. Shumë komentatorë i shpjegojnë këto fjalë të Ramës si servilosje ndaj Presidentit Trump, i cili qesëndis me dhe pa vend Biden-in, paraardhësin në ofiq. Por komentatorët, me ose pa njohuri në psikanalizë, mund të shohin sinjalin se Amerika tradhëton. Pra Amerika e Presidentit Trump që i përmend si shumë shpesh Qeverisë Rama narkorrjetet kriminale transnacionale mund jetë tradhëtare; sidomos në krahasim me Amerikën e Administratës Biden të cilës Rama arrinte t’ja përdorte zyrtarët si mercenarë të regjimit të tij.

2- “SUKSESIN NUK T’A FALIN”

Me shprehjen “suksesin nuk t’a falin”, si shpjegim i kritikave e i protestave kundër pushtetit të tij, Rama ishte sa dramatik aq edhe jo-origjinal. Jo-origjinal sepse kjo ishte deklarata e kryebashkiakut të Tiranës Veliaj në prill 2024 pak ditë mbasi Prokuria ekspozoi skandalin 5D. Në vend të merrte e të mbante përgjegjësisë që i takonte Veliaj zgjodhi të shpjegonte skandalin si vepër e cmirëzinjve. Kjo paturpësi nxiti, ndër të tjera, protestat e përjavshme para bashkisë, të cilat zgjatën deri sa vetë Veliaj u arrestua 11 muaj më vonë tok me të shoqen nga SPAK/GjKKO për vjedhje 1 milion euroshe. Rama ishte dramatik jo sepse parashikon detyrimisht përsëritjen e dramës Veliaj, pra të veprimit të SPAK/GjKKO kundër tij. Por sepse, ashtu si dhe ish manari i tij dy vjet më parë, dëshmon humbje të sensit të realitetit që është tronditëse për publikun dhe kontraproduktive për vetë Ramën. Çdo qeveri ka si rregull arritjet e dështimet e veta. Por kontrasti midis dukjes e thelbit në qeverinë Rama është i papërballueshëm. Përshembull qeveria mund të pretendojë me të drejtë se ka sjellë samite europiane në Tiranë; të tilla ishin së fundmi samiti BE/Ballkan Perëndimor e ai i Komunitetit Politik Europian që u mbajtën pranë stadiumit të madh e pranë sheshit qendror.

Edhe pse në këto samite nuk u mor ndonjë vendim i rëndësishëm as për Shqipërinë e as në përgjithësi prania e liderëve europiane dhe mbulimi mediatik që i pason ata i japin vizibilitet pozitiv vendit. Por njëkohësisht duhet thënë se Tirana është i vetmi kryeqytet në Evropë me zero pastrim të ujrave të zeza dhe që i shkarkon ato bruto në lumin Lana.

Në pellgun e Mesdheut kjo ndodh vetëm në Tuniz e Kairo, kryeqytetet të shteteve shumë më të varfëra se ne po të krahasosh PBB për frymë. Por Bosnje-Hercegovina që me këtë indeks, është aty-aty më Shqipërinë dhe që pengesë kryesore ka mungesën e një qeverie qendrore funksionale (sipas kushtetutës se Daytonit) ka ndërtuar impiante pastruese dhe deri tashti vetëm 25% e ujrave të zeza të Sarajevës derdhen në lumin Miljacka që përshkon kryeqytetin. Shtetet e tjera e kanë kapur 100%-shin.

Lipset të jemi disi zemërgjerë me qeveritë PD e PS në dy dekadat e para të demokracisë e të mos i qortojmë për këtë problem sepse kanë patur edhe halle të tjera më të ngutshme. Edhe Italia vetëm në fillim të v1970 arriti të mbulojë tërë Romën me impiante pastrimi.

Por vështirë se mund të bëjmë këtë me Ramën, KM prej 13 vitesh e kryebashkiak i Tiranës prej 26 vitesh. Edhe një nismë për këtë problem që daton nga v.2008, e mbështetur nga një hua e butë japoneze, u sabotua nga babëzia qeveritare që anulloi arbitrarisht kontratën duke sjellë edhe 13 milione euro gjobë në arbitrazh, si edhe duke lënë të ndryshken impiantet e ndërtuara në Kashar. U zgjata pak më këtë çështje së pari sepse merr vëmendje publike fatkeqësisht minimale në raport me rëndësinë që ka; së dyti sepse ilustron bukur kontrastin dukje/thelb. Ndonjë nga liderët apo nga shpura e tyre gjatë samitit mund të ketë dalë përjashta për një cigare a muhabet. Në se frynte pak erë në drejtimin veri-jug do të kenë ndjerë kutërbimin e fekaleve tona nga Lana 400 metra larg e druaj e kanë lënë përgjysëm cigaren a muhabetin.

3- “ERA E POSHTËRIMIT”

E treta fjalë mbresëlënëse e Ramës me komunitetin shqiptaro-amerikan ishte pohimi se më qeverinë Rama kishte mbaruar era e poshtërimit të shqiptarëve në Europë e në botë. Sipas tij shqiptarët në periudhën e demokracisë shiheshin si problem dhe bezdi madje me një farë përçmimi ndërkohë që tashti kjo “periudhë poshtërimi” në sajë të udhëheqjes personale të tij ka mbaruar dhe shqiptarët shihen e trajtohet me respekt si europianët e tjerë bie fjala portugezët apo estonezët. Së pari është interesante që Rama kësaj radhe huazon një slogan kinez të lançuar fillimisht nga Sun Jat Seni e Çan Kai Sheku si Era e Poshtërimit që filloi në 1849 me imponinimin e kushteve të rënda nga Fuqitë Europiane e më pas nga Japonia. Mao Ce Duni dhe Partia e Komuniste e Kinës që morën pushtetin në v1949 folën për Shekullin e Poshtërimit (në mandarin Bainian Guochi, 1849- 1949) si parulla qendrore legjitimuese e pushtetit të ri që u kishte rikthyer kinezëve sovranitetin e dinjitetin. Meqë Shqipëria kishte një histori të ndryshme nga Kina Enver Hoxha dhe PKSh/PPSh u mjaftuan me “regjimet antipopullore”. Sidoqoftë këtë Kina e Shqipëria përjetuan një preje historike në gjysmën e dytë të viteve 1940.

Por mbetet e pakuptueshme pse Rama, qoftë edhe retorikisht, mendon se sundimi i tij shënon një cezurë të ngjashme. Emigrantët e viteve 90 ishin përgjithësisht shqiptarë të varfër si të tërë dhe patën vështirësitë e tyre me adaptimin e integrimin në Greqi, Itali e gjetiu. Emigracioni po aq masiv gjatë qeverisë Rama preku më shumë shtresën e mesme e profesionistët me aftësi integruese më të larta por duke lënë një vakum problematik në Shqipëri. Ndërkohë si fenomen jo thjesht bashkëkohor por edhe si produkt i qeverisë Rama kemi narkorrjetet shqiptare që kontrollojnë trafikun e kokainës nga Amerika Latine në Europë dhe strehojnë fitimet në atdhe me asistencën e qeverisë. A bën kjo që poshtërimi të marrë fund? Pa folur për skandalet pa fund në majat e pushtetit që nuk i bëjnë shqiptarët më shumë krenarë dhe as europianët më pak poshtërues. Por nuk mendoj se Rama do të japë shpjegime për sa më lart; ai ose do shkëmoqet e thithet nga vorbulla e problemeve që ka shkaktuar ose, në rastin më të mirë për të, do të ketë ende kohë të shpallë të tjera hiperbola megalomaniake si në New York.

Gjekmarkaj: Ambasadori i ri i SHBA do të fusë Shqipërinë në shina, ata janë të shokuar nga korrupsioni

0

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, shprehet se ambasadori i ri i SHBA-ve në Shqipëri, Eric Wendt, mund të ndikojë në rikthimin e vendit në normalitetin kushtetues.

I ftuar në emisionin “Puls” të moderuar nga Bruna Çifligu, Gjekmarkaj e cilësoi emërimin e Wendt si një vlerësim që administrata e Presidentit Donald Trump i ka bërë Shqipërisë.

Sipas tij, përvoja dhe autoriteti i ambasadorit të ri, së bashku me atë që ai e quan politikë të re amerikane ndaj Shqipërisë, mund të sjellin një qasje të re në vend.

Gjekmarkaj tha se hetimet ndaj ish-shefes së SHISH në Shqipëri duhet të kenë shokuar FBI-në dhe organet ligjzbatuese në SHBA.

“Ambasadori i ri i SHBA është një personalitet, një gjeneral, që ka udhëhequr trupa në fronte të nxehta konflikti. Është një vlerësim që i është bërë Shqipërisë nga administrate e Presidenti Trump. Mendoj që autoriteti dhe personaliteti i tij, por edhe politika e re amerikane, e cila e sheh Shqipërinë si një vend mik dhe aleat, do të ndikojë në kthimin e Shqipërisë në shina kushtetuese, në shina normaliteti. Organe si FBI dhe të tjera veprojnë, kanë marrëdhënie mendoj, kanë marrëdhënie me organet e sigurisë në Shqipëri. Ata duhet të jenë të shokuar për çfarë ka ndodhur në këto nivele, sepse është e pazakontë. Është sikur shefi i CIA-s të bashkëpunonte me një kriminel të rangut të lartë, apo të kontrollohej nga krimi i organizuar, kjo që ka ndodhur në Shqipëri”, tha Gjekmarkaj. 

Ish-presidenti Topi: Politikanët tanë janë të sëmurë për pushtet dhe nuk respektojnë shtetin

0

Ish-presidenti Bamir Topi ishte sot i ftuar në “Minuta e Parë” për të folur mbi skandalin më të fundit, atë të ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hysenin.

Topi thekson se politikanët tanë dhe sidomos kryeministri Rama janë obsesionuar me pushtetin dhe nuk kanë respekt për shtetin dhe institucionet e saj, një rast i të cilit është dhe parlamenti.

Bamir Topi: Në rast se ti merr të drejtën të qeverisësh një vend, kam parë punën e parlamentit sa transparencë ka. Sa herë shkon zoti Rama dhe të bëjë transparencë? Që nuk e bën. Pse të flasim për institucionet e tjera?! Përderisa ka ndodhur gjëra kaq të forta në këtë vend si mund të kem besim?! Përgjithësisht nuk kanë respekt për shtetin. Kanë respekt dhe janë të obsesionuar për pushtetin. Janë të sëmurë nga pushteti.

Por të mos jesh sëmurë nuk do bësh tentativë pafundësisht të jesh në të njëjtën pozicion. Në SHBA është 4 vjet, 8 vjet nëse merr 2 mandate. Sa presidentë kemi parë që kanë ikur dhe shohin jetën e tyre. Nuk ka një model këtu. Modeli i tyre është pafundësisht. Nuk shkon kjo histori kështu. Pushtet pafund. Kur mendon për pushtetin, kam të drejtë të mendoj për cilësinë e shtetit. Drejtësia ka patur një mbështetje nga partnerë të fuqishëm ndërkombëtarë. Gjyqtarët po tregojnë dinjitet. Kur ai i thërret në tryezë ato thonë me të drejtë nuk vijmë se çështja është në proces gjyqësor.

Nga Vlora Hyseni te inceneratorët e AKSHI/ Bardhi: Sa herë do të thotë Rama “nuk dija”?

0

Një ditë pasi Edi Rama u përpoq të lante duart dhe ta shkëpuste përgjegjësinë e tij nga skandali me ish-drejtuesen e SHISH-it, Vlora Hyseni që informonte Ergys Agasin në kohën kur ky ishte shpallur në kërkim, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i kërkoi kryeministrit të japë përgjigje pikërisht për pjesën që ai e anashkaloi: si mbërriti Hyseni në krye të institucionit më të rëndësishëm të inteligjencës në vend, kush e rekomandoi dhe çfarë verifikimesh u kryen përpara se asaj t’i besohej një nga postet më sensitive të shtetit.

Në daljen e tij pas kthimit nga Nju Jorku, Rama e minimizoi skandalin duke ia lënë përgjegjësinë Vlora Hysenit me parimin e përgjegjësisë individuale. Kryeministri pranoi se sa herë një bashkëpunëtor i tij përballet me drejtësinë, ndaj tij rikthehet pyetja se si është e mundur që nuk dinte asgjë.

“Po si mund të mos e dija? Po si mundet që të mos jem i përzier unë vetë? Po si mund të them prapë se m’i hëngrën dardhat pas shpinës?”, pyeti Rama.

Sipas tij, një kryeministër nuk mund të parashikojë se kur një vartës vendos të shkelë ligjin dhe aq më pak të dijë se çfarë bën ai fshehurazi.

“Kryeministri as nuk e ka të mundur të parashikojë sjelljen e çdo individi përballë tundimeve të pushtetit, as e ka të lejuar të përgjojë bashkëpunëtorët e vet se çfarë bëjnë nën rrogoz dhe as e ka të mundur të lexojë mendjen e dikujt”, u shfajësua ai.

Por në një deklaratë për mediat, kreu i grupit parlamentar të PD tha se në vend të këtij shfajësimi fëminor, i takon të japë shpjegime mbi çfarë informacioni u mor vendimi për ta emëruar Vlora Hysenin në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, kush e rekomandoi dhe çfarë kontrolli u ushtrua më pas.

“Dje ishte dita kur Edi Rama duhet të jepte llogari se përse, në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit, propozoi dhe përzgjodhi një person që ishte njohje e tij personale, pa asnjë lidhje dhe asnjë kontribut të njohur në Republikën e Shqipërisë. Kush ia propozoi si këshilltare dhe kush e loboi më pas për postin më të lartë të institucioneve të sigurisë në vend?”, pyeti Bardhi.

Rasti i Vlora Hysenin ndryshon nga shkeljet e rëndomta të një zyrtari shtetëror, për sa kohë drejtuesi i SHISH-it zgjidhet direkt nga kryeministri dhe duhet të kalojë një veting të rreptë para se të marrë emërimin. Ndaj, Bardhi kërkoi edhe identifikimin e atyre “partnerëve ndërkombëtarë”, për të cilët Rama ka thënë se kishin dhënë referenca shumë të mira për Hysenin.

“Nëse përzgjedhja është bërë se paske marrë referenca të shkëlqyera nga shërbimet partnere… na i trego kush janë këta partnerë ndërkombëtarë? Cili është shastisur nga veprimet e SPAK? Cili shtet, cili partner ndërkombëtar, cili shërbim i huaj sekret?”, tha Bardhi.

Ai kërkoi gjithashtu të dijë se çfarë u verifikua nga autoritetet shqiptare për largimin e mëparshëm të Hysenit nga strukturat drejtuese të inteligjencës në Kosovë dhe, mbi të gjitha, çfarë bëri Rama kur opozita ngriti akuza për lidhjet e saj me Ergys Agasin.

“Çfarë masash ka marrë Kryeministri për të verifikuar këto akuza të opozitës?”, pyeti Bardhi.

Sipas tij, alibia e Ramës se “nuk dija” nuk është një përgjigje që kryeministri po e përdor për herë të parë. Kreu i grupit parlamentar të PD-së renditi një varg çështjesh që kanë shoqëruar 13 vitet e qeverisjes socialiste: dekriminalizimin, kanabizimin dhe Saimir Tahirin, koncesionet e shëndetësisë, inceneratorët, tenderat e AKSHI-t, akuzat ndaj Belinda Ballukut, Policinë e Shtetit dhe marrëdhëniet e pushtetit me biznesmenë të ndryshëm.

Ka qenë Rama që fillimisht i ka mbrojtur publikisht njerëzit ose projektet e kontestuara dhe më pas, kur drejtësia ka ndërhyrë, është rikthyer te përgjegjësia individuale. Shembulli më i freskët që solli Bardhi ishte ai i inceneratorëve.

Rama dhe qeveria e tij e mbrojtën për vite modelin e inceneratorëve, ndërsa vendimmarrja për projektet kaloi nëpër disa institucione shtetërore. Më pas hetimet përfunduan duke përfshirë ministra, deputetë dhe zyrtarë të lartë.

“A nuk ishe ti Edi Rama garant që inceneratorët ekzistonin, punonin dhe digjnin çdo ditë plehrat e shqiptarëve?”, pyeti Bardhi, që e quajti kryeministrin “arkitekti” i aferave të ndryshme mbetet akuzë politike për aq kohë sa nuk është provuar nga drejtësia.

Bardhi solli edhe rastin e Saimir Tahirit, koncesionet e shëndetësisë, AKSHI-n dhe akuzat ndaj Belinda Ballukut për ilustruar qëndrimet e Ramës si një bashkëfajtor në krim.

“Përgjegjësia penale është çështje e drejtësisë. Ndërsa, përgjegjësia politike është çështje e llogaridhënies publike” u shpreh kreu i grupit të PD.

Pas 13 vjetësh në pushtet, teoria se çdo ministër, drejtor apo bashkëpunëtor që përfundon në telashe me drejtësinë ka vepruar thjesht “pas shpinës” së kryeministrit ka rënë. Edhe pse SPAK nuk ka guxuar ta kalojë vijën e kuqe dhe ta përfshijë Ramën në ndonjë prej këtyre dosjeve, kjo nuk e përjashton nga përgjegjësia politike për sistemin e vjedhjes që ai ka ngritur dhe vetë po e drejton.

Për këtë arsye, opozita përsëriti kërkesën për dorëheqjen e Ramës nga posti i kryeministrit, duke ngritur pyetjen: “Nëse Kryeministri nuk di asgjë për atë që bëjnë ministrat, drejtorët dhe institucionet që varen prej tij, atëherë kush qeveris Shqipërinë?”/Lapsi.al

Kreu i komanduar i SHISH shfaqet për herë të parë në Këshillin për Sigurinë Kombëtare, Elvis Lilo me karrierë 20-vjeçarë në Shërbimin e Inteligjencës

0

U mbajt sot pas tri vitesh nga hera e fundit, Këshilli i Sigurisë Kombëtare, i thirrur nga presidenti Bajram Begaj.

Në këtë mbledhje ishin të pranishëm titullarët më të lartë të vendit, mes tyre edhe Elvis Lila, të cilin kryeministri Rama e komandoi në krye të SHISH menjëherë pas shkarkimit të Vlora Hysenit.

Në pamjet e publikuara nga presidenca shihet edhe Lila, çka përbën edhe shfaqjen e tij të parë në publik.

Por kush është Elvis Lila?

Burime nga SHISH i thanë gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, se z.Lila është një oficer karriere prej 20 vitesh në SHISH. Ai ka punuar si oficer drejtimi në një nga departamentet e SHISH.

Kur shërbimi i inteligjencës drejtohej nga Helidon Bendo, Lilos iu besua drejtoria e re e krijuar, e njohur si Drejtoria e Performancës. Më pas Lilo ka drejtuar kundraspiunazhin.

Kur Vlora Hyseni mori drejtimin 3 vite më parë e emëroi Lilon si drejtor te departamentit për çështjet operacionale.

Te njëjtat burime nga Inteligjenca tregojnë se Lilo ka qenë një nga bashkëpunëtoret me te afërt të Hysenit në çështjet e kundrazbulimit.

Ndërsa Kiço Sterjo, i emëruar prej saj si shef kabineti, është marrë me anën menaxheriale të burimeve njerëzore në SHISH.

“Kushëri me Ergys Agasin?”/ Jamarbër Malltezi reagon për herë të parë: Nuk e kam takuar kurrë…

0

Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, ka reaguar për herë të parë ndaj raportimeve që pretendojnë për një lidhje familjare mes tij dhe Ergys Agasit.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Malltezi thotë se nuk e di nëse Agasi është kushëri i dytë, i tretë apo i katërt, ndërsa thekson se nuk e ka takuar kurrë.

“Meqë Edi Rama po përpiqet të më bëjë me kushëri tani mbi 50 vjeç, po i jap përgjigjen që meriton”, shkruan Malltezi.

Ai vijon reagimin me akuza ndaj Agasit dhe pretendon se ky i fundit ka bashkëpunuar me persona të tjerë kundër tij dhe Sali Berishës.

“Hajna dhe banditë si Ergysi i Ramës mund të kemi në fis të gjithë. Nuk ia kam idenë nëse është kushëri i 2, 3 apo i 4, se kurrë nuk e kam takuar atë”, shkruan Malltezi.

POSTIMI I PLOTË:

Meqë Edi Rama po përpiqet të më bëjë me kushëri tani mbi 50 vjeç, po i jap përgjigjen që meriton: Hajna dhe banditë si ergysi i ramës mund të kemi në fis të gjithë.

Nuk ia kam idenë nëse është kushëri i 2, 3 apo 4 se kurrë nuk e kam takuar atë bastard që bënte pisllëqe me irena gjokën me 3 mbiemra për të burgos mua dhe liderin e opozitës.

Po ashtu kurrë nuk kam takuar as albën që atë e di se e kam kushërirë të 2 por se burri i saj leçjan ka përla tokën time. Banditët i shërbejnë kryebanditit edi rama se me të vjedhin, rrëmbejnë e vendosin gjoba. 

Reshjet e para të borës zbardhin Bjeshkët e Tropojës

0

Reshjet e para të borës janë regjistruar në zonat e larta malore të Tropojës, në qarkun e Kukësit.

Gjatë orëve të mëngjesit, dëbora ka mbuluar pjesë të Bjeshkëve të Tropojës, ndërsa temperaturat në zonat e larta kanë shënuar rënie.

Pamje nga zona e Markofçës, të publikuara në rrjetet sociale nga kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi, tregojnë malet dhe pemët të mbuluara nga bora.

Ndërkohë, drejtuesit e automjeteve që lëvizin drejt zonave të larta malore këshillohen të tregojnë kujdes për shkak të kushteve atmosferike dhe ndryshimit të temperaturave.

Begaj pret Ambasadorin e ri të SHBA Eric Wendt

0

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti këtë të shtunë në Presidencë ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, i cili paraqiti zyrtarisht Letrat Kredenciale, duke nisur mandatin e tij diplomatik në vend.

Gjatë ceremonisë, Kreu i Shtetit i uroi ambasadorit Wendt suksese në detyrën e re dhe rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara.

Begaj theksoi se Shqipëria do të vijojë të angazhohet në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke u mbështetur te prioritetet e politikës së jashtme dhe përgjegjësitë që burojnë nga bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve.

“Shtetet e Bashkuara janë një partner i pazëvendësueshëm për avancimin e interesave kombëtare”, u shpreh Presidenti Begaj.

Pas ceremonisë së pranimit të Letrave Kredenciale, Presidenti Begaj dhe ambasadori Eric Wendt zhvilluan edhe një takim kokë më kokë.

Berisha: Vlora Hyseni u kthye për tu dhënë reston bashkëpunëtorëve të vet që e tradhtuan

0

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, e ka cilësuar javën që lamë pas si periudhën e një skandali të jashtëzakonshëm në historinë e Shqipërisë, me përmasa që sipas tij njohin vetëm dy raste të ngjashme në të gjithë historinë botërore. Berisha u ndal gjatë te çështja e ish-drejtueses së Shërbimit Informativ Kombëtar, Vlora Hyseni, dhe lidhjet e saj me krimin e organizuar.

Lideri i PD deklaroi se caktimi i masës së sigurimit ndaj drejtueses së shërbimit inteligjent përbën goditjen më të rëndë për shtetin, pasi kreu i SHISH-it është zyrtari që presupozohet të jetë i certifikuar për shkallën më të lartë të besueshmërisë.  

Kreu i PD-së rikujtoi se emërimi i Vlora Hysenit në atë detyrë ishte bërë absolutisht jashtë çdo kriteri, duke theksuar se ai vetë e ka denoncuar këtë fakt që në javën e parë të marrjes së detyrës prej saj. Gjithashtu, Berisha përsëriti akuzat ndaj Ergys Agasit, duke deklaruar se ai kishte vendosur kontroll të plotë mbi shërbimin informativ.   

Berisha: Java që lamë pas është java e skandalit më të jashtëzakonshëm jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por e një skandali që njeh gjithsej edhe dy raste të tjera të ngjashme në historinë e botës. Shefja e shërbimit inteligjent të vendit arrestohet për bashkëpunim me organizatën kriminale më të rrezikshme në Evropë të Ergys Agasit për nxjerrje të sekretit shtetëror duke shkaktuar kështu rënien e plotë të piramidës së sigurisë së vendit.

Për qytetarët shqiptarë shtoj se arrestimi për bashkëpunim me krimin dhe për nxjerrjen e sekretit i shefit të shërbimeve është më i rëndë se arrestimi i çdo zyrtari tjetër të vendit për këto dy vepra penale sepse ai presupozohet se është i certifikuar për shkallën më të lartë të besimit.

Ndërkohë që Vlora Hyseni është emëruar në atë post absolutisht jashtë çdo kriteri dhe përbën kjo një nga çështjet më madhore që kërkon përgjigje.

Vlora Hyseni është denoncuar nga Sali Berisha, por mundet edhe të tjerë, që në javën e parë të emërimit të saj të pamerituar në atë detyrë dhe në vazhdim.
Ergys Agasi është akuzuar nga Sali Berisha në mënyrë të përsëritur se kishte në kontroll të plotë shërbimin informativ kombëtar.

Vlora Hyseni arrestohet apo shpallet urdhër arresti në një kohë kur ajo nuk ishte në qeveri, çka dëshmon se qeveritarët aktualë donin me çdo kusht që ajo të kthehet.

Por ajo u kthye dhe me sa duket është kthyer për t’u dhënë restin bashkëpunëtorëve të vet që e tradhtuan, sipas saj.
Ndaj dhe zhvillimet e mëpastajme do jenë po të këtij kalibri, po të këtij niveli.

 Gazetari Elton Qyno: Një prokuror i SPAK dhe një gjyqtare e GJKKO kanë qenë te zyra e Gysit, Dumani do t’i marrë në pyetje

0

Dy prokurorët Altin Dumani dhe Bledar Maksuti kanë kërkuar të pyesin një nga prokurorët e SPAK dhe një gjyqtare të GJKKO për llogari të dosjes së Ergys Agasit, sepse pretendohet se ky prokuror ka qenë tek zyra e Ergys Agasit te ish-blloku dhe ka dalë në video.

Dy prokurorët që hetojnë çështjen nuk kanë shkuar vetë aty, por kanë çuar dy oficerë të policisë gjyqësore. Gazetari Elton Qyno e bëri te ditur këtë fakt në emisionin “MaShqip” të kolegut Flamur Vezaj.

“Pasi kanë pyetur në 18 gusht Vlora Hysenin dhe Ergys Agasin, dy prokurorët Dumani dhe Maksuti kanë tentuar të pyesin edhe një prokuror tjetër në SPAK, të cilit i kanë dërguar dy oficerë të BKH-së. Ky prokurori ka refuzuar. Më pas është proceduar me formulën standarde të dërgimit të fletëthirrjes për tu paraqitur në BKH. Sërish prokurori ka refuzuar dhe tanimë jemi në një situatë që brenda në SPAK kemi një përplasje mes prokurorit X dhe Altin Dumanit që është prokurori i çështjes së Ergys Agasit.

Sepse një nga prokurorët e SPAK por edhe një gjyqtare e GJKKO, rezultojnë të kenë shkuar në zyrën e Ergys Agasit në zonën e ish-bllokut dhe kanë marrë një takim me të. Nuk dihet për çfarë kanë folur dhe për çfarë kanë rënë parimisht dakord, por që në kuadër të verifikimit dhe në kuadër të ekzistencës së këtyre videove që i ka bërë vetë Ergys Agasi, sigurisht që është parë e nevojshme nga Altin Dumani që të pyetet ky prokuror.

Por prokurori ka refuzuar me argumentin se: s’kam pse të pyetem për faktin pse kam takuar një person që nuk ka qenë as nën hetim, as në kërkim, as i proceduar. Unë këtë prokuror e njoh mirë, është i qëndrueshëm, e njeh ligjin shumë mirë. E ka frikë ligjin”, tha Qyno në emision.

Deri tani nuk ka dalë asnjë fakt i tillë në media, ndërkohë që Qyno ngulmon se në SPAK tashmë janë tre grupe prokurorësh që kanë interesa të ndryshme me njëri tjetrin. Nuk dihet nëse do të vazhdojë hetimin për të nxjerrë prokurorin e SPAK dhe Gjykatësen e GJKKO-së apo ti marrin në pyetje.