Ballina Blog Faqe 32

 Ish-deputeti Murrizi nxjerr videon e sherrit në Durrës: Ky që e rrahin si gomarin në duhan është shefi i Komisariatit Krujë

0

Ish-deputeti Myslim Murrizi ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku një person goditet me shuplakë nga një tjetër pas një konflikti gjatë qarkullimit në rrugë.

Duke iu referuar videos, Murrizi pretendon se personi që shihet duke u goditur me shuplakë është Elton Shahini, shef i Komisariatit të Krujës dhe ish-shef i Komisariatit Nr.1 në Tiranë.

Murrizi pretendon gjithashtu se personi që e godet është pjesë e strukturave të sigurisë dhe ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si është trajtuar ngjarja.

Postimi i Murrizit: “Kjo video tregon se ku është katandisur shteti.

Ky me motor që e rrahin në mes të rrugës në Durrës, para një muaji, si gomarin në duhan, është shefi i Komisariatit Krujë, Elton Shahini, dhe ish-shef i Komisariatit Nr. 1 në Tiranë.

Ky që e rreh, si duket, duhet të ketë të “drejtë”, se ndoshta i ka zënë rrugën ose mund ta ketë “vartës”, nëse ky që e rreh është pjesë e “strukturave” që e kanë emëruar.

Ndoshta është edhe oficer i SHISH-it, të Trëndafilë Vlora Hysenit, dhe ka marrë “urdhër” që t’ia fikë “radarin” shefit të Komisariatit të Krujës.

Ehhh, ku jemi katandisur!

Kur rrihet në mes të rrugës një shef komisariati, vaj medet çfarë sigurie do të ofrojë kjo polici për qytetarët.

Dhe jo vetëm e ka rrahur, por nuk e ka lënë të bëjë as denoncim, si duket.

Bela e madhe kur je i emëruar e i promovuar nga klane të pista apo bota e krimit: edhe të rrahin, edhe nuk të lënë të “qash”.

Me siguri, SHISH-i i Durrësit duhet të ketë “bërë” raport për këtë ngjarje “argëtuese” për qytetarët që ishin të pranishëm aty në këtë moment “pikant”.

Linku i videos: https://www.facebook.com/watch/?v=1055421280618639

https://www.facebook.com/watch/?v=1055421280618639

Gazeta amerikane: Gjenerali Wendt zbarkon në Shqipëri në kohën kur vendi është përfshirë nga protestat

0

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Eric Wendt, pritet të mbërrijë së shpejti në Shqipëri, ndërsa vendi po përballet me protesta dhe tubime të zhvilluara në Tiranë dhe zona të tjera.

Gazeta amerikane “Contra Costa Herald” ka publikuar një profil për diplomatin e ri amerikan, duke theksuar prejardhjen e tij nga Kalifornia, si dhe karrierën e gjatë ushtarake në Forcat e Armatosura të SHBA-së.

Sipas medias amerikane, Wendt është gjenerallejtënant i pensionuar i Ushtrisë së SHBA-së dhe ish-komandant i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO-s.

Ai ka shërbyer për më shumë se tri dekada në ushtri, përfshirë rreth 30 vjet në radhët e Forcave Speciale “Green Beret”.

“Gjenerallejtënant i pensionuar i Ushtrisë së SHBA-së, Eric Wendt, është ish-komandant i Shtabit të Operacioneve Speciale të NATO-s dhe ka shërbyer për 30 vjet si pjesëtar i Forcave Speciale ‘Green Beret’,” shkruan gazeta.

“Wendt doli në pension nga shërbimi aktiv më 1 mars 2021, duke përmbyllur më shumë se 34 vjet shërbim ushtarak. Ceremonia e pensionimit të tij shënoi fundin e një karriere që e çoi nga togëzat e këmbësorisë deri në nivelet më të larta të komandës së NATO-s. Trashëgimia e tij është ajo e një ushtar-diplomati që ka vepruar vazhdimisht në kryqëzimin e operacioneve speciale, politikës ndërkombëtare dhe menaxhimit të aleancave”.

“Në pension, Wendt vazhdon të kontribuojë në debatin mbi sigurinë kombëtare. Pikëpamjet e tij, të mbështetura në dekada përvoje të drejtpërdrejtë në drejtimin në mjedise komplekse gjeopolitike, kërkohen për role konsulence dhe këshillimi strategjik. Ai mbetet një zë i respektuar për çështjet e operacioneve speciale, kundërterrorizmit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurisë”.

“Filozofia operative e Wendt-it është e ndikuar thellësisht nga motoja e Forcave Speciale ‘nga, me dhe përmes’. Ai beson në rëndësinë parësore të aftësimit të vendeve partnere për të garantuar sigurinë e tyre, në vend që t’u imponohen zgjidhje nga jashtë. Kjo qasje thekson ndërtimin e marrëdhënieve afatgjata, zhvillimin e kapaciteteve dhe respektimin e sovranitetit si rruga e qëndrueshme drejt stabilitetit”.

“Ai i sheh operacionet speciale jo si një instrument të izoluar pushteti, por si një element plotësisht të integruar të një strategjie më të gjerë kombëtare. Karriera e tij pasqyron bindjen se forca ushtarake, veçanërisht operacionet speciale, duhet të shoqërohet me angazhim diplomatik dhe një kuptim të thellë të konteksteve politike dhe shoqërore, në mënyrë që të jetë vërtet efektive dhe legjitime,” shkruan gazeta.

Më tej, media amerikane thekson se ai vjen në Shqipëri ndërkohë që vendi është zhytur në protesta.

“Wendt mund të presë të përballet me një nga demonstratat që po zhvillohen në Shqipëri. Sipas një njoftimi për demonstratat të lëshuar nga Ambasada më 8 shtator 2026: Demonstratat e natës vazhdojnë në Tiranë, me protestuesit që mblidhen në sheshin Skënderbej. Demonstrata të tjera mund të zhvillohen në ditët në vijim dhe potencialisht edhe në qytete të tjera.

Protestat dhe grumbullimet e mëdha mund të fillojnë në mënyrë paqësore, por të përshkallëzohen shpejt dhe pa paralajmërim, duke ndërprerë trafikun dhe shërbimet dhe, në disa raste, duke u shndërruar në të dhunshme.

Protestat mund të shtrihen gjithashtu në zonat përreth, përfshirë ndërtesat qeveritare. Personelit të Ambasadës në Tiranë i është këshilluar të shmangë demonstratat, veçanërisht pranë institucioneve qeveritare. Prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh, devijime dhe ndërprerje të trafikut mund të priten në orët para dhe gjatë protestave”, shkruan gazeta.

“Shpirt fli rehat, krejt radarët për ty i mbyll”, Koka zbulon komunikimet e Vlora Hysenit me Agasin

0

Gazetari Bledian Koka i ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin ka zbuluar detaje të reja lidhur komunikimet e ish-drejtoreshës së shërbimit informativ shtetëror, Vlora Hyseni me Ergys Agasin. Koka u shpreh se në biseda, Hyseni i drejtohet Agasit duke e siguruar se “krejt radarët e shtetit për aty i mbyll”, ndërsa e udhëzon të mos përdorë një numër tjetër telefoni.

“’Shpirti, thotë kjo, mos u mos e përdor këtë atë numrin tjetër sonte se çunat ja kanë çuar veshin Flej rehat, të dua’, i thotë shefja e shishit një personi në kërkim. Po pastaj ky Agasi thotë: ‘Shpirt, a ka ndonjë rrezik për djemtë e mi sonte’. I përgjigjet kjo Vlora Hyseni: ‘Flej rehat zemër, krejt radarët e shtetit për ty i mbyll’.

Tashi për këto mesazhet për një shefe të shërbimit informativ deri dje, që flet me një person në kërkim, që kërkohet nga drejtësia e Shqipërisë, çfarë duhet të diskutojmë ne për këtë? Çfarë ngjyre mund t’i japim kësaj? Çfarë alibie mund t’i ngrejmë ne kësaj gjëje që sapo lexova unë që është në dosje.

Fajin Klod Lala e ka për këtë fajin? Fajin Klod Lala e ka që bën punën e gazetares edhe i bën pyetje asaj dhe ajo në vend që të mbylli gojën të paktën për një ditë tenton të bëjë moralisten. Edhe sikur të jetë e vërtetë ajo që ka thënë ajo, minimalisht ajo tregon se si informacionin nuk e përdorte në shërbim të shtetit po e përdor në interesin e vet personal. Që s’është e vërtetë se në informacionet e mia ajo është një trill i stisur nga propaganda e Edi Ramës e vënë në gojën e Vlorë e Hysenit, që unë dhe ti sot në emision të merremi me një gjë që s’ekziston”, tha ai.

BIRN: Zyrtarët e lartë dhe krimi i organizuar u bënë njësh në mbrojtje të Ergys Agasit

0

Hetimet e SPAK sugjerojnë se Ergys Agasi, i shpallur në kërkim për përfshirje në krim të organizuar, dyshohet se u ndihmua të shmangte arrestimin për muaj me radhë përmes kontakteve me zyrtarë të lartë dhe eksponentë të krimit të organizuar.

Më 22 shtator, Policia kontrolloi një kompleks vilash të fortifikuara në Shkozet të Durrësit, ku dyshohet se Agasi ishte strehuar gjatë arratisë. Sipas burimeve të BIRN, kompleksi lidhet me klanin “Troplini”, të cilin SPAK e konsideron një nga grupet më të rrezikshme të krimit të organizuar në Shqipëri. Në kuadër të hetimit janë përfshirë edhe drejtues të lartë të institucioneve shtetërore, mes tyre shefja e SHISH, Vlora Hyseni, ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe zyrtari i Institutit të Policisë Shkencore, Fatjon Kalluçi.

Sipas të dhënave të dosjes të publikuara në media, nga qershori deri në gusht Hyseni ka pasur mbi 500 komunikime me Agasin, përfshirë telefonata, video dhe mesazhe. Ajo dyshohet se e informonte për takime me zyrtarë të lartë dhe se kishte vënë në dispozicion të tij edhe informacion apo kapacitete të institucionit që drejtonte. Hyseni e ka kundërshtuar këtë version, duke deklaruar se komunikimet kishin nisur pasi Agasi ishte ofruar si “bashkëpunëtor”, pretendim që SPAK e kundërshton.

Agasi u arrestua më 26 gusht në zonën e Plepatit në Durrës, pas rreth tetë muajsh në arrati. Sipas hetimeve, gjatë kësaj kohe ai lëvizte lirshëm dhe mbante kontakte me persona të botës së krimit dhe funksionarë shtetërorë. Hetimi ka ngritur pikëpyetje mbi marrëdhëniet mes zyrtarëve të lartë dhe grupeve të dyshuara të krimit të organizuar. Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj e ka akuzuar publikisht Agasin se luante rolin e “koordinatorit” mes botës së krimit dhe qeverisë së Edi Ramës./BIRN

Bledi Çuçi dhe bashkëshortja përplasen me protestuesit, gjeste të turpshme në mes të kafenesë

0

Një situatë e paprecedentë është regjistruar mbrëmjen e kaluar në një kafene në Tiranë.

Sipas pamjeve të publikuara në rrjet, një grup protestuesish, kanë ndaluar para kafenesë ku ishin ulur ish-ministri Bledi Çuçi me bashkëshorten e tij, Delina Fico, ndërsa kanë bërë thirrje “Çuçi burg”, “Rama burg”.

Çuçi fillimisht nuk ka reaguar, ndërsa e shoqja e tij ka nisur të flakë në drejtim të protestuesve shishe, lugë dhe sende të tjera që ka pasur mbi tavolinë.

Pas kësaj, ka reaguar edhe Çuçi, duke treguar gishtin e mesit dhe duke bërë gjeste të tjera të turpshme drejt protestuesve, vajzës që i filmonte.

Po me gjeste të turpshme ka reaguar edhe Fico, ndërsa dëgjohet edhe duke debatuar verbalisht me protestuesen.

GJKKO konfirmon masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Vlora Hysenin, largohet në heshtje nga SPAK

0

Pas marrjes në pyetje për rreth 2 orë e gjysmë, Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion ka konfirmuar masën e “arrestit në shtëpi” për ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.

Ndryshe nga momenti kur mbërriti në ambientet e SPAK, Hyseni u largua pa thënë asnjë fjalë.

Hyseni dyshohet se ka ndihmuar biznesmenin Ergys Agasi, i cili ndodhej në kërkim, duke i përcjellë informacione të klasifikuara shtetërore. Agasi u arrestua më 26 gusht, i dyshuar si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal në kuadër të hetimeve për aferën e AKSHI-t.

Ish-drejtuesja e SHISH-it akuzohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”.

Duke iu referuar gjithnjë dosjes së SPAK, Hyseni dhe Agasi kanë pasur komunikime të shpeshta gjatë periudhës kur biznesmeni ishte në kërkim, përfshirë telefonata, video-thirrje dhe shkëmbim materialesh.

Në kuadër të hetimit, në makinën e Agasit janë sekuestruar edhe disa diagrame të SHISH-it, për origjinën e të cilave Hyseni ka deklaruar se do të japë përgjigje zyrtare përmes një shkrese të klasifikuar. SPAK, ndërkohë, pretendon se komunikimet dhe materialet e sekuestruara hedhin dyshime mbi versionin e Hysenit se Agasi kishte kërkuar të bashkëpunonte me të.

Po sipas të dhënave të pasqyruara në dosje, vetëm nga 28 qershori deri më 26 gusht të këtij viti, përmes aplikacionit “Signal” janë regjistruar dhjetëra komunikime mes tyre.

Kuvendi miraton me 106 vota pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura në operacionin e NATO-s në Gazë, mbyllet seanca plenare

0

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 106 vota pro projektligjin që lidhet me pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin ushtarak të NATO-s “Forca Ndërkombëtare të Stabilitetit” në Gazë.

Në vijim të seancës plenare, mazhoranca ka miratuar edhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10236, datë 18.2.2010, ‘Për marrjen në kontroll të shoqërive me ofertë publike’”.

Pas përfundimit të shqyrtimit të projektligjeve dhe votimeve, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka mbyllur seancën plenare.

Arrestimi i shefes së SHISH jehonë në mediat botërore/ Reuters: Tjetër goditje për qeverinë Rama

0

Arrestimi i gruas që duhej të ruante sekretet më të ndjeshme të shtetit e riktheu Shqipërinë në faqet e mediave ndërkombëtare, me episodin e radhës në vargun e skandaleve të korrupsionit që ka prodhuar qeveria Rama. Agjencitë më të mëdha të botës, Reuters dhe Agence France-Presse raportuan për arrestimin e Vlora Hysenit, duke shkuar përtej rastit të saj.

Në raportimet e Reuters dhe AFP, implikimet e drejtueses së SHISH-it u vendosën në një panoramë më të gjerë të skandaleve të korrupsionit që po prekin nivelet e larta të shtetit shqiptar dhe duke nxirë më tej imazhin e qeverisë së Ramës. ANSA, më e përmbajtur në interpretim, e vendosi Hysenin në hartën e një hetimi që nisi nga tenderët e AKSHI-t dhe përfshiu biznesmenin Ergys Agasi, ish-drejtuesin e Policisë së Shtetit dhe zyrtarë të Policisë Shkencore.

Reuters: “Një tjetër problem për qeverinë e Ramës”

Reuters e nisi lajmin duke e vendosur menjëherë çështjen përtej një hetimi individual. Agjencia shkroi se Hyseni u vendos në arrest shtëpie nën dyshimin për nxjerrje informacioni të klasifikuar “si pjesë e një hetimi më të gjerë për korrupsion”.

Sipas Reuters, prokurorët dyshojnë se drejtuesja e SHISH-it nxori informacion të klasifikuar tek persona të paautorizuar në lidhje me çështjen e korrupsionit në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, institucioni që administron shërbimet publike dixhitale dhe infrastrukturën informatike të Shqipërisë.

“Zhvillimi përbën një tjetër goditje për qeverinë e Ramës”, shkroi Reuters, që solli menjëherë në vëmendje një tjetër dosje të nivelit të lartë: atë të Belinda Ballukut. Agjencia kujtoi se në shkurt Rama shkarkoi zëvendëskryeministren pasi ndaj saj u ngritën akuza për korrupsion dhe se më pas Parlamenti refuzoi heqjen e imunitetit për t’i hapur rrugë arrestimit të saj.

Me pak fjalë, arrestimi i Vlora Hysenit konsiderohet hallka e radhës e një vargu hetimesh që po afrohen gjithnjë e më shumë te maja e administratës shtetërore.

Agjencia evidentoi se në dosjen e SPAK “shumë zyrtarë shtetërorë dhe biznesmenë u arrestuan ose po hetohen për keqpërdorimin e parave publike në AKSHI”.

Efektet e një skandali të tillë trajtohen në kontekstit e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. “Zyrtarë të Bashkimit Europian i thanë Reuters se po shqyrtojnë nga afër mënyrën se si Rama po trajton rastet e korrupsionit” raportoi agjencia.

Reuters citoi edhe reagimin e Ramës: “Çdokush është i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, por askush nuk është mbi ligjin”.

AFP: “Skandali më i fundit i korrupsionit që godet qeverinë e Edi Ramës”

Edhe Agence France-Presse e kapërceu raportimin e thjeshtë të një urdhër-arresti. “Ky është skandali më i fundit i korrupsionit që godet qeverinë e kryeministrit Edi Rama”, shkroi AFP.

Agjencia franceze e lidhi këtë zhvillim edhe me klimën politike që prej muajsh shoqëroi qeverinë shqiptare, duke përmendur protestat kundër projektit të diskutueshëm turistik në jug të vendit, të mbështetur nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner.

Agjencia evidentoi edhe shtrirjen e dosjes së AKSHI-t: “ “Shumë zyrtarë shtetërorë dhe biznesmenë u arrestuan ose janë nën hetim për keqpërdorimin e fondeve publike në AKSHI”.

Por AFP u ndal edhe te vetë figura e Hysenit dhe mënyra se si ajo mbërriti në krye të institucionit që ruan sekretet e shtetit shqiptar.

AFP kujtoi se emërimi i saj “shkaktoi kritika në Shqipëri”, për shkak se më parë kishte qenë numri dy i inteligjencës së Kosovës, post nga i cili ishte shkarkuar.

Në përditësimin e lajmit, AFP citoi një zëdhënës të policisë i tha agjencisë se Hyseni “iu dorëzua autoriteteve shqiptare në pikën kufitare të Morinës”, pasi u kthye nëpërmjet Kosovës.

Edhe AFP citoi reagimin e kryeministrit: “Çdokush është i pafajshëm deri në vendimin përfundimtar, por askush nuk është mbi ligjin, në asnjë rast dhe për asnjë arsye”.

ANSA: Nga Agasi te Hyseni, Proda dhe Policia Shkencore

Ndryshe nga Reuters dhe AFP, agjencia italiane ANSA shmangu kontekstin e skandaleve që kanë shpërthyer nën qeverinë Rama.

 “Është lëshuar një urdhër-arresti për Vlora Hysenin, drejtoreshën e shërbimeve të inteligjencës shqiptare”, raportoi ANSA.

Agjencia sqaroi se masa u dha “në kuadër të një hetimi ndaj biznesmenit Ergys Agasi”, të akuzuar për korrupsion në lidhje me tenderët e Agjencisë shtetërore të sistemeve të informacionit. “Hetimi përfshiu gjithashtu ish-Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda; banesa e tij u kontrollua dhe telefoni iu sekuestrua” raportuan gazetarët italainë.

Ndërkohë që në Tiranë debati është përqëndruar në detajet dosjes dhe sillet rreth emrave të Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, mediat ndërkombëtare e trajtojnë dosjen si një tjetër çarje në majën e shtetit shqiptar. E gjithë kjo në një kohë kur lufta kundër korrupsionit është një nga provat kryesore mbi të cilat Brukseli po mat rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian./Lapsi.al

Skandali me SHISH/“I çova ushqim, çfarë krimi kam bërë?” Çfarë deklaruan para GJKKO Sulejmani dhe Kalluçi

0

“Nuk e di çfarë krimi kam bërë unë, që i kam çuar supë e ushqim”. Kështu ka deklaruar gjatë seancës në Gjykatën e Posaçme, Embro Sulejmani në lidhje me skandalin e SHISH. Gjatë seancës Sulejmani  ka thënë se e njeh Agasin, pasi janë të dy nga Durrësi.

Ndërsa oficeri i policisë shkencore  Kalluçi ka pohuar se nuk mban mend që të ketë dërguar akte sekrete Agasit, ashtu siç e akuzon SPAK.

Gjykata e Posaçme la në burg përgjegjësin e Policisë Shkencore, Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmanin. Ata akuzohen për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “përkrahje të autorit të krimit”, për dosjen ndaj Ergys Agasit.

Tensione në protestë, përplasje me policinë. Një person humb ndjenjat

0

Është tensionuar situata te Kuvendi, ku janë shënuar përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Gjatë tensioneve janë shoqëruar  të paktën 10 persona nga uniformat blu.

Tensionet nisën pas hedhjes së një tullumbaceje me ujë dhe ngjyrë në drejtim të efektivëve të policisë. Më pas, policia ndërhyri për të shpërndarë protestuesit dhe për të liruar rrugën e bllokuar, ndërsa pati edhe hedhje sporadike vezësh.

Protestuesit u zhvendosën nga zona pranë Parlamentit drejt Ministrisë së Brendshme dhe më pas pranë Kishës Katolike, ku u përballën sërish me kordonët e policisë. Disa prej tyre u ulën në rrugë, duke deklaruar se protesta ishte paqësore dhe duke kundërshtuar ndërhyrjen e forcave të rendit.

Nga përplasjet, një person raportohet se ka humbur ndjenjat. Të moshuarit i është dhënë ndihma e parë nga qytetarët, ndërsa pritet të vijë ambulanca.

Për shkak të protestës, trafiku në disa segmente pranë Kuvendit dhe Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” u devijua përkohësisht. Në terren u angazhuan forcat “Shqiponja”, efektivë të Policisë së Shtetit dhe disa automjete policie.

Ndërkohë, brenda Kuvendit vijon seanca plenare e nisur në orën 10:00, e shoqëruar me debate dhe akuza të ndërsjella mes opozitës dhe mazhorancës pas arrestimit të kreut të SHISH Vlora Hyseni.